Bashkia e Tiranës merr mbështetjen e BERZH-it për financimin e Pyllit Orbital

10 Nëntor 2019, 15:55

TIRANE- Pas bashkëpunimit të suksesshëm për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, Banka Europiane për Rindërtim edhe Zhvillim (BERZH) do të financojë Bashkinë e Tiranës në projektin e saj ambicioz për Pyllin Orbital. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtoresha Ekzekutive e BERZH-it, Charlotte Ruhe, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që synon që deri në vitin 2030, në kryeqytet të mbillen 2 milionë pemë të reja.

“Është një ditë e jashtëzakonshme për Tiranën. Sapo kemi dakordësuar që me Bankën Europiane për Rindërtim edhe Zhvillim, të futemi në një ‘aventurë’ tjetër, atë të Pyllit Orbital, për t’i kapur deri në pemën e fundit ambiciet tona për të mbjellë 2 milionë pemë në Tiranë. E filluam me forcat tona, pastaj secili duke mbjellë një pemë për ditëlindje, ose për përvjetor a përkujtime. Por, sot bashkojmë dy fuqi të mëdha, fuqinë e Bashkisë së Tiranës me fuqinë e BERZh-it”, tha Veliaj.Falë kësaj marrëveshjeje do të realizohen disa investime të rëndësishme në gjurmën e Pyllit Orbital të Tiranës. “Kjo do të jetë një vepër që do të ngelet. Unë besoj se koha më e mirë për të mbjellë pemë ishte dje. Koha e dytë më e mirë për të mbjellë pemë është sot. Nuk duhet të humbasim më shumë kohë. Sot firmosëm marrëveshjen e parë për të filluar një plan, i cili do të përfundojë në disa investime kyçe në të gjithë gjurmën e Pyllit Orbital dhe do të kemi mundësi që të kthejmë kokën mbrapa dhe të themi se këto pemë u mbollën kur Bashkia e Tiranës dhe BERZH-i vendosën të vënë të gjitha forcat për ta bërë Tiranën realisht një qytet të gjelbër”, tha Veliaj.