Bashkia e Tiranës miraton qiranë 1 vjeçare me vlerën e tregut për familjet e prekura nga termeti/ Ja procedurat dhe dokumentet

3 Dhjetor 2019, 20:43

Bashkia e Tiranës do t’i paguajë qiranë e shtëpisë me vlerën e tregut familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me përballimin e situatës së krijuar si rrjedhojë e tërmetit të javës së shkuar, ku ndër të tjera edhe pagesën e plotë të qirasë për një periudhë 1 vjeçare për rreth 1082 familje, banesat e të cilëve janë dëmtuar dhe janë bërë të pabanueshme. 

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se pagesa do bëhet e vlefshme edhe për muajin dhjetor.

“Vendimi i dytë është ndoshta vendimi më i rëndësishëm që marrim sot: Për pagesën e plotë të qirasë sipas vlerës së tregut për familjet që janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Nuk është vetëm një vendim financiar, është edhe një vendim për thjeshtimin e procedurave se si këto familje duke nisur nga nesër do aplikojnë për të marrë 100% qira, sipas vlerës të tregut”, u shpreh Veliaj.