Bashkia zhvendos tregjet nëpër lagje, shmangen grumbullimet vetëm në qendër!

26 Mars 2020, 10:17

Qarku i Fierit është vatra më e madhe e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri, me 14 të prekur pas Tiranës me 38 të infektuar. Por ende shumë qytetarë, përfshirë edhe të moshuarit, vijojnë të neglizhojnë masat dhe të dalin nga shtëpia pa ndonjë arsye.

Midis tyre ka dhe të moshuar të cilët dalin pa asnjë masë mbrojtëse, doreza apo maska, edhe pse thirrja që bëhet  për vetëizolim në shtëpi më shume u drejtohet moshës si tretë, si më e rrezikuara për t'u prekur nga COVID-19.

Ndërkohë bashkia e Fierit sot ka rinisur hapjen e tregut të fruta-perimeve në lagje për të shmangur grumbullimet e qytetarëve pa asnjë distancë sigurie, siç ndodhte në tregun në qendër të Fierit, ku sot lëvizjet ishin më të pakta.

Radha e qytetarëve vijon edhe në banka për të kryer shërbime të nevojshme, por jashtë ambienteve të bankës ruhet distanca 1 metër larg.