Bashkitë 50 mln euro detyrime, qeveria gati emërimin e administratorëve

23 Tetor 2019, 18:38

TIRANË- Me një veprim jo të zakonshëm,  Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paralajmëruar bashkitë që kanë krijuar më shumë detyrime se do t’i propozojë Këshillit të Ministrave të caktojë administratorë nga pushteti qendror për të menaxhuar buxhetet e tyre me qëllimin e uljes së borxheve të prapambetura. Ky paralajmërim, është bërë në një Udhëzim të datës 27 shtator nga ministrja e Financave Anila Denaj, dërguar 61 bashkive. Sipas Udhëzimit, në muajin dhjetor do të ngrihet një grup pune, që duhet të konstatojë bashkitë me më shumë probleme financiare, i cili në fund të vitit do të përgatitë raportin zyrtar, në bazë të të cilit do të veprojë qeveria. Kështu, bashkitë do të kenë afat deri në fund të vitit të rregullojnë situatën e tyre financiar, ose do t’i nënshtrohen administrimit nga qeveria.

Vështirësitë financiare
Por si parashikohet të procedohet në rastin e borxheve të bashkive? Sipas Udhëzimit, njësia e vetëqeverisjes vendore, konsiderohet me probleme financiare kur në një muaj të caktuar të vitit buxhetor konstatohen vonesa prej më shumë se 30 ditësh në likuidimin e detyrimeve financiare ndaj palëve të treta, dhe kur detyrimet e konstatuara dhe të papaguara përbëjnë 15 përqind të shpenzimeve vjetore të miratuara. Njësia e vetëqeverisjes vendore konsiderohet në vështirësi serioze financiare kur borxhet afatgjata dhe detyrimet e papaguara ndaj palëve të treta përbëjnë mbi 80 përqind të shpenzimeve buxhetore vjetore të miratuara.
Kryetari i bashkisë, me konstatimin e situatës së vështirësisë serioze financiare, njofton Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, e cila njofton menjëherë Këshillin e Ministrave. Këshilli i Ministrave, mund të shpallë brenda 15 ditësh njësinë e vetëqeverisjes vendore në mbikëqyrje financiare dhe të autorizojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si mbikëqyrës financiar të saj, duke respektuar rigorozisht këto kushte: njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të marrë asnjë vendim që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion tjetër; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk mund të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë financiare.