Basketboll/ Goga shkruan historinë, për herë të parë kampione e Shqipërisë

20 Maj 2019, 14:00

Goga Basket është kampionia e Shqipërisë për sezonin 2018-2019 në basketboll për meshkuj. Skuadra e drejtuar nga Melzin Lazimi arriti të fitonte përballjen e pestë të ‘play-off-it’ kundër Teutës, duke i mbyllur seritë e finaleve në 3-2. Sikundër pritej, Goga në këtë sfidë dominoi pothuajse gjatë gjithë lojës, duke e mbyllur takimin me shifrat e thella 81-60.

Ambienti, rezultatet e mëparshme dhe polemikat bënë që Goga Basket ta ngrinte Kupën në një sallë të tejmbushur nga tifozët, të cilët edhe në katër finalet e mëparshme treguan interes të jashtëzakonshëm.

Trajneri Lazimi: “E kam deklaruar pas ndeshjes së katërt që do të fitojmë sepse kisha besim në mbrojtjen e ekipit tim. Sot kemi marrë vetëm 60 pikë që do të thotë 15 pikë për çdo periodë. Kjo di thotë që jemi mbrojtja më e mirë e kampionatit, ç’ka solli edhe trofeun.”

Marsel Aliaj: “Është një kënaqësi e madhe, kam shumë emocione pasi jemi shumë të lumtur. Besoj se është diçka që e arritëm të gjithë bashkë dhe vetëm kështu mund t’ia dalësh.”

Grifi Rame: "Jam kampion. Kjo duket mirë. Kur fiton thjeshte je i lumtur, nuk mund të thuash shumë."

Ky është kampionati i parë për Gogën në histori që vjen pikërisht në sezonin debutues në Superligë, ndërkohë që Teuta, nënkampionia në fuqi, këtë sezon duhet të kënaqet me trofeun e Kupës dhe Superkupës./ Pergatiti Ernest Koçi