Basketboll, Vllaznia e nis me humbje Ballkan Lige, malazezët e Ibar fitojnë me një pikë diferencë

23 Tetor 2019, 15:37

Vllaznia i ka nisur me humbje ndeshjet e Ballkan Ligë në Basketboll pasi të martën është mposhtur në Shkodër me shifrat 64-65 nga malazezët e Ibar. Një ndeshje e cila u luajt në një atmosferë elektrizuese në pallatin e sportit ‘Qazim Dervishi’ dhe që nisi jo mirë për skuadrën shqiptare, pasi shpejt rezultati shënoi 2-11 për miqtë.

Në përfundimin e periodës së dytë tabela tregoi shifrat 28-35 për malazezët, ndërsa për pjesën e mbetur të lojës Vllaznia ishte më kërkuese. Shkodranët me ndihmën e jashtëzakonshme të tifozëvë rihyn në lojë dhe arrin ta ngushtojë rezultatin deri në një pikë, 64-65.

Kur kishin mbetur edh 18 sekonda lojë Hudson gabon sepse tenton të zgjidhë gjithçka vetë dhe gjuajtja e tij nuk është e saktë dhe për rrjedhojë, i gjithë takimi mbyllet me fitoren e miqve me vetëm një pikë.

Sinkron: Alban Xhaferri, president i Vllaznisë: “Me pak shans ndoshta do ta kishim fituar ndeshjen, por gjithsesi kështu ishte e shkruar. Skuadra malazeze bëri një lojë më të mirë se e jona, sepse gjatë gjithë periodave ishte në avantazh.”

Nikolai Gospodinov, trajner i Vllaznisë: “Përfundimisht nuk e meritonim të fitonim, sepse nuk kemi luajtur mirë. E kemi filluar ndeshjen shumë avash, shumë të frikësuar dhe pa energji. Bëmë mirë në fundin e ndeshjes, por nuk ishte e mjaftueshme për të dalë me rezultat pozitiv. Është ndeshja e katërt që humbasim me ribaund.”