Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi dhe batuta pyetjes së gazetarëve lidhur me tezën e një "përplasje" mes klanesh në PS dhe për ekzistencën e një pakti Veliaj-Xhafa në selinë rozë dhe nëse ishin këto dy elementë që sollën edhe ndryshimet qeveritare. Me doza të theksuara humori, Rama tha se ishte i "shqetësuar", pasi për më tepër, në krye të këtij "komploti" është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Përsa i përket konspiracionit. Ka një komplot në PS. Jam i shqetësuar për këtë. Është një lëvizje konspirative, puçiste. Jemi duke menduar për një gjyq popullor edhe për dënime të rënda, shumë të rënda. Internime, punë të detyruar, dhe nuk diskutohet që koka e këtij komploti është kryetari i bashkisë së Tiranës. Ai është në krye të komplotit, mbështetur nga ish-ministri i Brendshëm. Ka edhe të tjerë por nuk ua them dot, dyshohet dhe për institucione të tjera në këtë konspiracion. Ka të dhëna që ka edhe studim shkencor të doktoreshës Kryemadhi për goditjen e qeverisë dhe më vjen keq që më kapët gafil por jam i detyruar ta pranoj. Por ju siguroj që ky grup nuk e ka të gjatë, Veliaj mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë dhe do të jetë pjesë e një vepre që do të shkruaj dhe do t’ua jap me autograf.
Edi Rama, kryeministër