Batutat në takimin Rama-Thomas-Greenfield, Kryeministri: Të pritëm me diell por na duhet shi! Ambasadorja: Do lutem sapo të iki

7 Nëntor 2022, 12:47

Në takimin që ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, zhvilloi me Kryeministrin Rama pati edhe një shkëmbim batutash sa i përket krizës së energjisë dhe nevojës për reshje. Ambasadorja Thomas-Greenfield tha se kriza është një shqetësim i përbashkët.

“Sërish faleminderit shumë që më pritët, faleminderit shumë për partneritetin tuaj, për marrëdhënien tuaj, ndërkohë që përballemi me çështje të një shqetësimi të përbashkët në këtë rajon”, tha ajo.

Rama i tha me batutë se “na duhet dëshpërimisht shi për shkak të faktit që energjia hidrike është i vetmi burim i yni por u siguruam që kur të vinit ju të ishte diell.  Ndaj po e bëjmë edhe këtë sakrificë për të mos pasur shi për ju”.

“E vlerësoj këtë dhe natyrisht do të lutem për shi kur të largohem. Faleminderit!”, iu përgjigj diplomatja e lartë amerikane.