Bayern Mynchen i përgjigjet me 'poker' Dortmund-it, javën e ardhshme supersfida për fatet e Bundesligës

24 Maj 2020, 12:04

Bayern Mynchen i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë Borussia Dortmund në javën e 27 të Bundesligës ose ndryshe në javën e dytë pas rifillimit për shkak të koronavirusit. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick është treguar e pamëshirshme kundër Eintracht Frankfurt, pasi e ka shkatërruar me rezultatin 5-2.

Në minutën e 17 do të ishte Leon Goretzka që do të zhbllokonte shifrat me një finalizim shumë të bukur brenda zonës. Pak minuta para fundit të pjesës së parë Thomas Muller do të dyfishonte shifrat, ndërsa menjëherë me fillimin e fraksionit të dytë të lojës nuk mund të mungonte Lewandowski, i cili dërgoi shifrat 3-0.

Atëherë kur dukej se gjithçka ishte e mbyllur do të ringjallej Eintracht Frankfurt. Skuadra mike fillimisht do të shënonte golin e parë në minutën e 52, ndërsa tre minuta më pas, po i njëjti autor, Hinteregger, do t'i dërgonte shifrat në 3-2, duke rihapur gjithçka.

Gjithsesi Bayern tregoi se jo më kot është një skuadër e madhe, me Davies që pas një gabimi në zonë shënoi golin e katërt. Më tej pati kohë edhe për një autogol të miqve, duke stampuar shifrat përfundimtare në 5-2.

Me këtë fitore Bayern i përgjigjet tre pikëshit të Dortmund të arritur më herët kundër Wolsburg. Pas 27 javësh kampionat Bayern udhëheq me 61 pikë, 4 më shumë se Dortmund i vendit të dytë. Javën e ardhshme ndërkohë është supersfida mes këtyre dy skuadrave, që me shumë mundësi do të jetë vendimtare për fatet e kampionatit.