Bayern Mynih 'Mbreti' i ri i Evropës, mposht 1-0 PSG-në dhe fiton Championsin e 6-të

24 Gusht 2020, 11:16

Bayern Mynih mposht 1-0 PSG-në në finale dhe fiton Champions League. Në një ndeshje shumë të fortë, me raste dhe spektakël nga të dyja skuadrat triumfoi eksperienca e gjermanëve që bëjnë tripletën e trofeve këtë sezon.

Raste të pastra kishin të dyja ekipet në pjesën e parë, por gola nuk u shënuan. Ekuilibrat u thyen në minutën e 59-të kur shënoi për bavarezët një francez. Kingsley Coman me kokë mposhti Keylor Navas dhe realizoi golin e fitores.

Bayern Mynih e fiton Champions League për herë të gjashtë, kur për herë të fundit e kishte fituar në vitin 2013-të. Sezon fantastik për ekipin gjerman, që më parë kishte triumfuar edhe në Bundesligë duke u shpallur kampion dhe kishte fituar edhe Kupën e Gjermanisë. Zhgënjim dhe lot tek PSG, që dështoi për t'a fituar trofeun në finalen e parë që luante.

Bayern Mynih pason Liverpool si fitues i Champions League. Festa është e gjitha për bavarezët, që ngjiten në majën më të lartë të futbollit evropian dhe mbyllin një sezon fantastik.