Bayern Mynih poshtëron Barcelonën, e mund 8-2 dhe kalon në gjysmëfinalet e Champions

15 Gusht 2020, 12:04

Bayern Mynih tregohet një ekip jashtëtokësor dhe kalon në gjysmëfinale të Champions League. Bavarezët kanë poshtëruar në të gjitha drejtimet Barcelonën duke e mundur 8-2 dhe e shkatërruar plotësisht Messin me shokë.

Kjo është humbja më e thellë e Barcelonës gjatë viteve të fundit në Champions League. Skuadra gjermane shënoi nga 4 gola në të dyja pjesët. Spanjollët nuk mundën për asnjë moment ta rihapnin sfidën duke treguar një formë shumë të dobët.

Skuadra gjermane tregoi gjithë forcën e saj që në pjesën e parë të cilën e fitoi 4-1 me dy gola te Mueller dhe rrjetat e tundura nga Perisic dhe Gnabry ndërsa për katalanasit goli erdhi nga një lojtar i kundërshtarëve Alaba që e dërgoi topin në portën e tij.

Në fraksionin e dytë Luis Suarez vetëm sa zgjoi Bayernin me golin e shënuar pasi më pas uragani bavarez nuk u ndal duke shënuar edhe katër gola të tjerë me Kimich, Leëandoëski dhe dy herë Coutinho. Bayern tregohet spektakolar dhe hedh kandidaturën për të fituar Championsin dhe për të bërë tripletën.

Në gjysmëfinale Bayern Mynih pret fituesen e ciftit Manchester City-Lyon. Barcelonën kjo humbje e trondit nga themelet.