“Baywatch”, nis trajnimi i të rinjve në plazhin e Lezhës, prefekti: Kush nuk zbaton detyrimet i hiqet licenca

25 Prill 2019, 21:47

Disa të rinj po trajnohen për vrojtues Plazhi në Bregdetin e Lezhës. Detyra e tyre është të ndihmojnë dhe shpëtojnë pushuesit në rast rreziku në breg dhe det. “Çdo subjekt privat sipas një VKM duhet të punësojë vrojtuesin e plazhit, sepse ai herët ose vonë do ta japin ndihmën e tij në shpëtimin e jetës”, tha Lucjano Marku, trajnues. Prej vitit 2018, operatorët që marrin me qira plazhet janë të detyruar me ligj të ngrenë Kullën e Vrojtimit dhe të kenë personel të certifikuar për ndihmën e parë.

Nëse këto kushte sigurie nuk plotësohen, privatët do të humbin licencën “Çdo subjekt do të zbatojë me rigorozitet të gjitha detyrimet, në të kundërt nuk do ti jepet licenca. Ata që e kanë do ti hiqet licenca”, deklaroi Gjergj Prendi, prefekt i qarkut Lezhë. Për disa ky mund të kthehet në një profesion. Ndaj Shërbimi i Punësimit nxit të rinjtë që të trajnohen si vrojtues, duke garantuar kështu që edhe biznesi të mos hasë vështirësi për të siguruar punonjës të kualifikuar.

“Ky trajnim është me interes, për arsye se është një nga shërbimet që i ofrohet qytetarëve të papunë. E kanë të garantuar vendin e punës pas një trajnimi”, theksoi Fatmir Delishi, Drejtor i shërbimit të Punësimit Lezhë, raporton ora news. Siguria në plazhet e Lezhës ka qenë shqetësim i vazhdueshëm gjatë sezoneve të kaluara, pasi në vazhdimësi operatoret privat nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në ligj.