BE: Dialogu qeveri-opozitë të nisë me reformën zgjedhore, koha të hapen negociatat

13 Shtator 2019, 12:24 | Përditesimi i fundit: 2019-09-13 14:48:56

TIRANE-"Dialogu qeveri-opozitë të nisë me reformën zgjedhore". Ky është apeli i ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca për palët politike për të kapërcyer krizën që ndodhet vendi prej shkurtit të këtij vitit kur opozita PD-LSI dogji mandatet duke dalë në protesta, ndërsa bojkotoi edhe zgjedhjet. Soreca tha se BE-ja ka bërë disa herë thirrje për dialog, ndërsa tani duhet të nisë me dicka specifike, që është pikërisht kjo reformë.

"Ju e dini që ne u kemi kërkuar të gjitha partive që të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog. këtë e kemi bërë nga hera, janë të shumta thirrjet që kemi bërë për dialog. Më lejoni që të them se dialogu duhet të fillojë nga dicka specifike, dhe kjo mund të jetë reforma zgjedhore, që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë shumë të rëndësishme për shqiptarët. Kjo të bëhet në një mënyrë të drejtë dhe me standardet ndërkombëtare. Çelja e negociata do të ndihmonte edhe përsa i përket dialogu" tha ai, teksa Lulzim Basha dha sinjale potizive për dialog pas ftesës së kryeministrit Edi Rama.

Shqipëria është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave në mes të tetorit. Për Sorecën tani është momenti që vendet anëtare të BE-së të thonë 'PO'. Duke komentuar takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Berlin, ai tha se është i bindur se kancelarja do të japë një motivim shtesë për institucionet shqiptare, që është çelja e negociatave.

"Janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së që do të vendosin. Gjermania është shprehur qartë, por edhe shtete të tjera, se tani ka ardhur koha të çelen negociatat me Shqipërinë. Edhe ne besojmë që ka ardhur koha, dhe duhet të jetë tetori momenti. Ka shtete që po reflektojnë dhe autoritet shqiptare duhet të bëjnë të pamundurën që deri në tetor të kenë gjithcka në rregull për këtë vendim. Kontaktet duhet të vijojnë në pesë javët në vijim dhe këto gjëra po ndodhin. Rama ndodhet në Gjermani për një takim shumë të rëndësishëm me Merkel, dhe jemi të bindur se do të jepet një motivim shtesë për institucionet shqiptare. Çelja e negociatave nuk do të jetë fundi i fillimit, por fillimi i një procesi që do të na çojë përpara, që në tetor të çojë në dhënien e dritës jeshile" tha ai.

    No videos found.