BE heq Shqipërinë nga 'lista gri' e pastrimit të parave: Plotësoi angazhimet!

10 Tetor 2019, 16:51

Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare i Bashkimit Evropian ka hequr sot nga “lista gri” e parajsave fiskale (vende, për të cilat ka dyshime se pastrojnë para) Shqipërinë dhe Serbinë.

Ministrat e Ekonomisë dhe Financave të 28-shes po kështu, kanë nxjerrë nga kjo listë vende të tilla si Zvicra, Kosta Rika, Emiratet e Bashkuara Arabe, ishujt Marshall dhe ishujt Mauricius. Sipas BE-së, ato tanimë bëjnë pjesë e vendeve, të cilat u janë përgjigjur angazhimeve që kërkon Evropa e Bashkuar për bashkëpunimin në fushën e taksave.

Shqipëria, Kosta Rika, Mauriciusi, Serbia dhe Zvicra kanë zbatuar në afat të gjitha reformat e duhura për t’u përshtatur me politikën e BE-së për mirëqeverisjen në fushën e taksave”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Lista gri” përfshin ato vende, të cilat janë duke përmirësuar, pra, sipas BE-së, ato që janë angazhuar të ndryshojnë legjislacionin e tyre fiskal, në mënyrë që të përputhet me normat ndërkombëtare dhe evropiane.

Tani, asnjë nga vendet e Mesdheut nuk përfshihet në “listën e zezë”, ku listohen vendet që nuk pranojnë të bashkëpunojnë. Këtu janë vende si Belize, Fixhi, Omani, Samoa, Trinidad e Tobago, Vanuatu dhe tre territore amerikane: Samoa amerikane, Guam dhe ishujt Virxhin amerikanë.  

Listat, që përfshinin Shqipërinë në atë “gri”, ishin hartuar për herë të fundit në vitin 2017.

    No videos found.