BE pezullon vendimin për ndalimin e eksportit të vaksinave anti-COVID

26 Mars 2021, 14:42 | Përditesimi i fundit: 2021-03-26 14:52:48

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë pezulluar vendimin për ndalimin e eksportit të vaksinave pas një mosmarrëveshje me prodhuesin e AstraZeneca lidhur me vonesat e dozave në BE.

Në një deklaratë pas samitit, BE theksoi rëndësinë e zinxhirëve globalë të furnizimit të nevojshëm për të prodhuar vaksinat.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se AstraZeneca duhet të përmbushi kontratën e parashikuar, dhe të dërgojë në BE dozat e parashikuara përpara se t’i shpërndajë në vende të tjera.

Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, lidhur me këtë çështje tha se ky është “fundi i naivitetit nga BE”.

Në Bashkimin Evropian shpërndarja e vaksinave anti-COVID ka qenë shumë e ngadaltë dhe për këtë arsye kanë fajësuar AstraZeneca, megjithatë kompania farmaceutike anglo-suedeze ka mohuar një gjë të tillë.

BE u akuzua, kryesisht nga Britania e Madhe dhe OBSH për të ashtuquajturin nacionalizëm vaksinash pasi vendosi kontrollet e eksportit brenda Bashkimit Evropian.

Disa ditë më parë Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për shkak të përplasjeve dhe tensioneve të vazhdueshme me AstraZeneca ka kërcënuar ndalimin e eksporteve të vaksinës nëse BE nuk do të merrte dërgesat e premtuara. Megjithatë duket se ky kërcënim është pezulluar.