'Bego do ndërtojë te Unaza e Re'/ Ministria e Financave: Trualli i privatizuar nga Qeveria e PD

19 Dhjetor 2018, 20:14

Ministria e Financave i përgjigjet akuzave të deputetes së PD, Jorida Tabaku dhe këshilltarit ligjor Gazmend Bardhi lidhur me pretendimin se është lidhur një kontratë me biznesmenin e akuzuar për trafik droge, Edmond Bego, për të ndërtuar pallate në zonën e Unazës së Re (Lexo këtu). Në një deklaratë për mediat, MF sqaron se kërkesa për privatizim është bërë dhe miratuar në vitin 2007, me firmën e Ministrit Genc Ruli.

Sipas MF, në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Ish-Pronarëve, me Vendimin nr.8 datë 20.04.1995 vendosi të njohë Maliq dhe Hamdi Pinari, ish-pronarë mbi një truall me sipërfaqe 34.000 metra katrorë që ndodhet në lagjen e Re të Tiranës si dhe trualli i lirë me sip. 10 mijë metra katrorë t’i njihet dhe kthehet pronarëve. Trualli i zënë nga serat, duke përfshirë dhe magazinat e saj iu është njohur pronarëve (trashëgimtarëve të tyre) si dhe iu është dhënë e drejta e parablerjes, kur ato të privatizohen.

Ndërsa në vitin 2007, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli kërkoi miratimin e Këshillit të Ministrave për kërkesën e trashëgimtarëve për privatizimin e pronës së sipër-përmendur proces. Ndërsa në vitin 2016 Ministria e Financave finalizoi procesin e shitjes me trashëgimtarët e ligjshëm të truallit, sipas kontratës bashkëngjitur, ku asnjë nga personat e palës blerëse nuk rezulton të jetë Edmond Bego, siç pretedon Partia Demokratike. Edhe Bashkia e Tiranës mohoi që të kishte dhënë leje ndërtimi për Begon