Kryeministri Edi Rama deklaroi se në ditët në vijim do të takohet me Albin Kurtin që fitoi zgjedhjet në Kosovë dhe pritet të formojë qeverinë e re për të diskutuar për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, që sipas tij duhet të kenë një hov tjetër, teksa e bëri më konkrete idenë duke theksuar se do i propozojë vendosjen e një ministri shteti të përbashkët mes dy shteteve në të dyja anët e kufirit.
"Përsa i përket Albin Kurtit do të takohemi në ditët në vijim, ka kërkuar të më takojë e pres me kënaqësi, e kam ndjekur në prononcimet e tij, bie dakord me të që ka një nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe marrëveshjet e bëra duhet të shkojmë përtej dhe me qeverinë e re të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme, që në këtë fushë nuk arriti të bënte shumë.
Kam edhe disa propozime të reja dhe është momenti për të vendosur një ministër shteti për të dy anët, për të pasur një pikë referimi institucionale në cdo pikë për ndjekjen e marrëveshjeve dhe cfarë mendoj se cfarë duhet bërë më tutje. Do të dëgjoj edhe idetë e freskëta të Albinit, tani që shpresoj dhe besoj, se nuk do të ketë ndonjë cudi" tha Rama.