Belgjikë, 738 mustaqe dhe mjekra në konkurs

7 Qershor 2019, 11:04

Mustaqe të çmendura, mjekra të pushëzuara dhe baseta të skalitura, të gjitha në mënyrë të përkryer, këto janë disa detaje të konkursit për mjekrën dhe mustaqet më të mira, konkurs që po zhvillohet në qytetin Antwerp në Belgjikë, ku marrin pjesë qindra konkurentë nga e gjithë bota.

Konkursi i çuditshëm belg zhvillohet për tre kategori kryesore: mustaqe në stilin anglez, mustaqe në stilin e Salvador Dali, mjekër stil i lirë dhe mjekër e dendur.

Konkurrentët pjesëmarrës në garë, gjithsej 738 nga 33 vende të globit, janë të lejuar të skalitin dhe të perfeksionojnë qimet e tyre të fytyrës por njëkohësisht e kanë të ndaluar të shtojnë qime artificiale.

Konkursi ndërkombëtar për mjekrën dhe mustaqet më të mira e ka ngritur siparin për herë të parë në vitin 2001 dhe prej asaj kohe mbahet çdo dy vjet në vende të ndryshme të botës.