Berat/ Në 3 javët e para të 2021, 688 gjoba për shkelje të qarkullimit rrugor dhe 247 gjoba për masat anti-COVID

24 Janar 2021, 13:46 | Përditesimi i fundit: 2021-01-24 13:47:13

Policia e Beratit ka ndëshkuar me gjoba gjatë 3-javëve të para të këtij viti 247 qytetarë,të cilët nuk kanë zbatuar masat anti-Covid. Sipas uniformave blu të Beratit, 237 prej tyre janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili për mos vendosjen e maskës mbrojtëse dhe 10 qytetarë janë gjobitur me 10.000 lekë secili,për mosrespektimin e orarit të lejuar të lëvizjes pas orës 22:00 të mbrëmjes.

Gjithashtu kontrolle ka pasur edhe për respektimin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, ku monitorimi është bërë edhe nga ajri me dronë, jo vetëm për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve rrugore,por dhe për evidentimin,verifikimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që kryejnë parakalime të gabuara dhe kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë. Konkretisht,gjatë 3-javëve të para të 2021 janë vendosur 688 gjoba, ku 506 masa për shkelje të Kodit Rrugor, 122 masa për parakalime të gabuara dhe 60 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.