Berat, policia kontrolle për thyerje karantine dhe për kapjen e personave në kërkim

10 Mars 2021, 21:39 | Përditesimi i fundit: 2021-03-10 21:40:31

Rritja e numrit të aksidenteve në vend dhe respektimi i orarit të karantinës ka bërë që policia e Beratit të "blindojë" rrugët e qytetit. Postoblloqe të shumta policore janë ngritur jo vetëm në hyrje e dalje të qytetit të Beratit por paralelisht edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut. Burime nga policia bëjnë me dije se këto masa janë ndërmarrë me qëllim parandalimin e aksidenteve, ngjarjeve kriminale, respektimin e masave anti-COVID dhe kapjen e personave në kërkim. 

Në hyrje dhe në dalje të Beratit janë ngritur pika kontrolli, pjesë e të cilave janë bërë të gjithë sektorët e Drejtorisë Vendore të Policisë, duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor. Mësohet se në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera.