Berisha flet për vitin më të zi që kaluan shqiptarët, Ramën e quan 'monstra e integrimit': Të ngrihemi e të hedhim mënjanë këtë regjim

31 Dhjetor 2019, 18:27

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka ndarë video-mesazhin e tij për shqiptarët me një urim për vitin e ri 2020. Nuk ka lënë pas politikën, ky thotë se ky ishte viti më i zi dhe i vështirë për popullin shqiptar. Ish-kryeministri i bën thirrje shqiptarëve të bashkohen që ky vit të mos përsëritet në 2020-ën por të jetë i mbarë. Berisha nuk lë pas akuzat për qeverinë ku përmend koncensionet e shumta, edhe 'narkoshtetin', siç i referohet ai lidhjes së shtetit me krimin dhe trafikun e drogës. Me vit i zi Berisha i referohet edhe humbjes së mundësisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa kryeministrin Edi Rama në videomesazhine  tij e quan "monstra e integrimit". "Të ngrihemi e të hedhim mënjanë këtë regjim", thotë Berisha.

"Viti që po lëmë pas ishte për ne shqiptarët viti i rekordeve më të zeza në këto 27 vite pluralizëm. 2019-ta duhet të na ftojë ne të gjithëve të bashkohemi që ky vit të mos na kthehet në 2020. Por 2020 të jetë një vit i bardhë, një vit i mbarë, një vit siç e duam, në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët të shpëtojnë nga rekordet e zeza, të çelin rrugën e bllokuar drejt Europës, kombi të qëndrojë i bashkuar në idealet e tij europiane. Shqiptarët, të frymëzuar nga parimet e lirisë por dhe në shembullin e bolivianeve që përmbysën narkoshtetin e tyre të paketojnë Zoografin bis apo Esad Toptanin në Beograd, të rikthejnë në Shqipëri vlerat e lirisë dhe demokracise!

Uroj çdo shqiptar kudo që gjendet dhe feston ndërrimin e viteve, në shtëpi, lokal, detyrë në kujdes shëndetësor apo dhe vuajtje dënimi, të gjithve:  Gëzuar Vitin e Ri 2020! Një vit të bardhë shprese dhe mbarësie për shqiptarët, fëmijët, familjet, miqtë e tyre kudo që festojnë këtë natë! GËZUAR!", shkruan Berisha, teksa shpërndan në rrjetet sociale Video-mesazhin e urimit.

    No videos found.