Berisha gënjeu për përdhunimin në Kavajë/ Zbulohen dokumentet që rrëzojnë pretendimin se ngjarja u fsheh

7 Shkurt 2019, 15:44 | Përditesimi i fundit: 2019-02-07 16:52:04

Zbulohen dokumentet që hedhin dritë mbi rastin e abuzimit seksual me 14-vjeçaren në Kavajë dhe abuzimet në opinionin publik se shkolla, policia dhe institucionet e drejtësisë reaguan vetëm pasi ish-kryeministri Sali Berisha postoi ngjarjen në Facebook dhe historia u shpërnda në media. E vërteta është krejt e kundërt, dhe duket se edhe këtë rast postimi i Berishës është i manipuluar dhe ka element të mashtrimit të opinionit publik.

Ngjarja është zbuluar dhe hetuar nga Policia e Prokuroria përpara se kjo ngjarje të bëhej publike nga Berisha. Abuzimi ndaj vajzës është zbuluar rastësisht ne data 25 janar. Sipas dokumenteve rezulton se mësuesja kujdestare është njoftuar nga punonjësja e shërbimit të katit, se në telefonin e djalit të saj kishte gjetur një mesazh të dërguar nga i mituri A ku i kërkonte ndonjë vend ku mund të kryente marrëdhënie me të miturën pas mësimit. Pikërisht të premten 25 janar mësuesja kujdestare e ka pyetur per here te pare vajza te miturën se çfarë marrëdhënie kishte ajo me djalin 'A' dhe pasi e mitura ia ka treguar të gjitha mësuesja kujdestare ka njoftuar nënën e të miturës dhe ia ka treguar të gjitha në prani të drejtoreshës dhe psikologes së shkollës. Po kështu të dielën në drekë 27 janar vete vajza e ka marrë në telefon mësuesja kujdestare dhe pasi ka shkuar në shkollë me nënën e saj është takuar me mësuesen kujdestare, psikologen e shkollës, drejtoreshën e shkollës dhe drejtoreshën e arsimit. Te nesërmen, ditë e hënë 28 janar në shkollë është mbajtur procesverbali nr. 91 kur përmblidhet gjithë ngjarja.

Ne data 29 janar prindërit kanë bërë kallëzim penale pranë drejtorisë së policisë së Kavajës e cila ka informuar prokuroren Oltiana Cifliku. Po kështu më datë 29.01.2019 është marrë dhe vendimi për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor të shtetases së mitur. Më datë 30.01.2019 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka regjistruar procedimin penal Nr.204 për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Prokuroria i kërkoi Gjykatës masat e arrestit ne burg për tetë adoleshentë dhe urdhri i arrestit është firmosur më data 1 shkurt me vendimi nr. 26/1. Mëngjesin e 2 shkurtit nisën arrestimet, duke vënë në pranga 7 prej adoleshentëve dhe duke shpallur në kërkim adoleshentin tjetër.

Një ditë pasi të gjitha procedurat ligjore ishin mbyllur, pra me data 3 shkurt, Sali Berisha denoncoi skandalin në Facebook, pak orë para se Policia të shpërndante komunikatën për shtyp. Kështu që është evidente nga datat fakti se, kur e bëri denoncimin Berisha, adoleshentët e akuzuar për abuzim seksual kishin një ditë që ndodheshin në burg. Pavarësisht nga dokumentet që i përgënjeshtron, edhe sot në kuvend Berisha ka vazhduar me pretendimet e veta. Natyrisht në këtë histori tragjike viktima kryesore mbetet vajza nga Kavaja. Për ta mbrojtur për sa është e mundur, ne kemi vendosur ta mos botojmë asnjë detaje nga dosja hetimore te cilën e disponojmë.