Sali Berisha ka mjegulluar dhe fshehur prej 30 vitesh pozicionin e tij ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, lëvizje e cila shënoi edhe kthesën e madhe të ndryshimit dhe të lëkundjes së themeleve të regjimit komunist etj. Për shkak të dëshmitarëve të shumtë të asaj dite historike, Berisha nuk e ka marrë as mundimin të gënjeje, për ta rreshtuar veten mes protagonistëve. Berisha rrallëherë është pyetur nga gazetarët se ku ndodhej me 20 shkurt të vitit 1991. Në 20 shkurt të vitit 2016, Berisha u pyet se ku ishte ditën e rrëzimit të bustit, ku dha këtë përgjigje “Unë kam kaluar para dhe kjo eshë e dokumentuar dhe bashkëpunëtoret e mi kanë qenë”. I gjithë shpjegimi i Berishës për ata ditë është “Unë kam kaluar para”, ndërsa pjesa tjetër e rrëfimit të tij përmban të njëjtën fabul, të ndërtuar prej tij, ku e paraqet veten si anti-komunist.
Por, ka disa dëshmi të protagonistëve që nxjerrin në pah rolin e Berishës si i besuar i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës në ato ditë të vështira për regjimin komunist. Të gjitha rrëfimet përputhen në një pikë, sipas të cilës Sali Berisha nuk ishte as në shesh dhe as tek studentët. Ai nuk shihej askund. Aleksandër Meksi, ish-kryeministri i Shqipërisë më 1992-1997 dhe njëri ndër themeluesit e PD-së, protagonist i ngjarjeve të 20 shkurtit, ka pohuar se Sali Berisha nuk ishte as në shesh dhe as tek studentët. “Kanë qenë tek sheshi së pakut Ben Imami dhe Gon Çika, të cilët u integruan në krye të turmës e sigurisht dhe të tjerë. Këtë e them pasi ishim bashkë të tre, na thirrën turmat, ndërkohë që unë ika sipër te studentët dhe ata vijuan me turmën. (Po Berisha?) Jo. Tek studentët kam qenë vetëm unë atë ditë”, ka pohuar Meksi në një intervistë për Shqiptarja.com, të dhënë në 18 shkurt 2014.
