Ish-kryeministri Sali Berisha pretendon se opozita ka dokumente që provojnë lidhjen e disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar me segmente të krimit të organizuar. I ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv, Berisha tha se strategjia që po ndjek opozita është të demaskojë qeverinë, ndërsa nuk dha shpjegime se kur do bëhen publike faktet që disponon opozita. Është dosja ''339'' ajo e cila sipas Berishës zbërthen lidhjet e ministrave dhe figurave të rëndësishme në PS, përfshirë edhe kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako apo dhe kreun e OSHEE, Ardian Çela për lidhje me Avdylajt e Shijakut. Sipas ish-kryeministrit, kjo dosje ka të dhëna edhe për komunikimet e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me të arrestuarin Safet Rustemi (Bajri).
Opozita ka fakte dhe argumente. Rritja e besueshmërisë së opozitës, ka bërë që ajo të disponojë një arkiv të pasur të organizatës kriminale të Rilindjes. Lidhje të ministrave të Ramës me krimin, lidhje me botën e trafikut të Olsi Ramës. Vëllai i Ramës, ka të dhëna objektive, që të paktën 6 herë ka kaluar kufirin me makinën e drogës së grupit Xibraka. Opozita ndjek një strategji në demaskimin e kësaj organizate kriminale. Nuk kam dijeni kur do bëhen publike. Opozita ka dhënë kontribut të madh. N.q.s Tahiri është ai që është sot, është opozita ajo që vite para damkosjes nga drejtësia e damkosi si kryetar të bandës së Habilajve. Por ende nuk ka arritur të shkulë kreun e Meduzës, kallam dështakun Edi Rama. Nuk shoh asnjë kusht për zgjedhje. Nëse ju do njiheni me dosjen 139 ju do kuptoni se zgjedhje nuk ka. Opozita disponon kohët e fundit, 2-3 javët e fundit, është pasuruar me dokumente, por ajo dosje është famoze. Por nuk është e vetmja. Nuk ka “dil merr një ton kokainë”, por ka vrasjen e procesit të lirë zgjedhor. Këtë ajo dosje fakton sesi Rama vrau votën e shqiptarëve.
Dosja 339 fakton lidhjet e ngushta të Gjushit me Avdylajt. Lidhjet e 2 ministrave me Avdylajt. Fakton lidhjen e Ardian Çelës së OSHEE-së me Avdylajt. Fakton sesi miliona u hodhën në zgjedhje. Ai është favoriti kryesor i familjes Rama. Është njeri i çmuar për ta. Fakton se familja Ndoka, më i dashuri i Ramës, ka marrë të gjithë tokat në bregdet nga Shëngjini në Velipojë. Fakton se ministrat dhe eksponentë të lartë si Ditëzi Bushati janë ngushtësisht të lidhur me bandat e Shkodrës, me Safet Rustemin dhe Pëllumb Gjokën. Ditmiri më shumë flet me Pëllumbin sesa me Ruçin.
Sali Berisha, ish-kryeministër
Ish-kryeministri Sali Berisha komenton edhe dekretin e presidentit Ilir Meta për emrin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Nga pikëpamja kushtetuese, thotë Berisha, Meta duhej ta dekretonte Sandër Lleshajn, me çdekretimin e tij si ushtarak, por nga ana morale, vijon ish-kryeministri, ministri i ri i Brendshëm është letër e djegur.
Berisha thotë se Rama tentoi të marrë edhe kompetencat e Presidentit. Ish-kryeministri i referohet deklaratës së Ramës ku i sugjeronte Metës dekretimin e njëkohshëm si të lirimit si ushtarak edhe të dekretit si ministër. Sipas tij, dekreti i Lleshit nga Meta u bë në kushte in-extremis, ndërsa shton se ministri i ri i Brendshëm do qëndrojë në këtë detyrë në shkelje me Kushtetutën.
Formalisht, pas plotësimit të kushteve kushtetuese, ai duhej dekretuar. Moralisht, ai ishte tërësisht letër e djegur. Sandër Lleshi, në thyerje të nenit 186 të Kushtetutës, ka marrë përsipër detyra të tjera, çka kushtetuta ia ndalon ushtarakut aktiv, jo në rezervë. Së dyti, Sandër Lleshi ka bërë hapin e dytë madhor në shkelje të kushtetutës, ka paditur presidentin e Republikës për dekretimin e tij, në një kohë kur kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendimet e të cilave janë normë kushtetuese për vendin, kanë vendosur në vitin 2002 se nuk mund të trajtohen në gjykatë, dekretet e presidentit. Mafiozët e kryeministrit, e kanë bindur gjeneralin që të paditë presidentin dhe të gjejë 2-3 gjyqtarë që t’i japin të drejta që nuk i takojnë. Ai dërgoi propozimin e Ramës për heqjen e spaletave, por faktikisht u emërua ministër në rrafshin moral si një kufomë e pakallur. Ky është vlerësimi im. Formalisht u respektua kushtetuta. Presidenti veproi në kushte in-extremis, por veproi në kushte kur e vendosën në kushte më in-extremis. I kërkuan të dekretojë një ministër në dhunim të Kushtetutës. Presidenti nuk mund të kthejë ministra, por është i obliguar të respektojë kushtetutën. U tregua luajal me germën e kushtetutës, e dekretoi, në rrafshin moral, ai s’meritonte të dekretohej. Ishte një delikuent në raport me kushtetutën, kishte mbajtur funksione të tjera, që neni 186 i Kushtetutës e pengonte. Paditi presidentin për interesa personale.
Ish-kryeministri Sali Berisha
Sipas ish-shefit të qeverisë, opozita nuk priste që Edi Rama të tërhiqej nga propozimi, pasi siç shton Berisha, ministri i ri i Brendshëm identifikohet me maxhorancën. Sandër Lleshaj, theksoi Berisha, mban përgjegjësi për kanabizimin e vendit, pasi ka qenë për një kohë të gjatë këshilltar i Ramës.
"Jo, sepse për opozitën, si Sandër Lleshi, apo të gjithë, një çorbë janë. Ata nuk kanë ndryshim njëri nga tjetri. Janë narko-mazhorancë. Nuk di të ketë lidhje me kanabisin, por është këshilltari i autorit që e ktheu vendin në kanabistan. Ka për detyrë që çdo tre muaj të mbledhë të dhëna. E rikujtoj disa herë mbledhjen e Komitetit të Sigurisë, gjatë qeverisë së mëparshme. Ky ka rol të kërkesave tek kryeministri. Ka përgjegjësi", tha Berisha.
Sa i takon Vettingut në politikë, Berisha tha se Komisioni i Venecias nuk mund ta hedhë poshtë në një kohë u shpreh ''Ok'' për Vettingun në drejtësi dhe dekriminalizimin.
"Nuk mund të imagjinoj që Venecia të hedhë poshtë Vettingun, kur ka miratuar Vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët, normalisht jo në këtë formë që po bëhet. Vettingu është një thellim i ligjit për dekriminalizimin. është një proces që thellohet. Nëse sheh ligjin e Vettingut është ridimensionim i ligjit për dekriminalizimin, kështu është edhe ligji për Vettingun në politikë".