Berisha te '5 pyetjet nga Babaramo': Sandër Lleshaj formalisht duhej dekretuar, moralisht është 'letër e djegur'

19 Nëntor 2018, 21:14

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar te "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv komenton dekretin e presidentit Ilir Meta për emrin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Nga pikëpamja kushtetuese, thotë Berisha, Meta duhej ta dekretonte Sandër Lleshajn, me çdekretimin e tij si ushtarak, por nga ana morale, vijon ish-kryeministri, ministri i ri i Brendshëm është letër e djegur.

Berisha thotë se Rama tentoi të marrë edhe kompetencat e Presidentit. Ish-kryeministri i referohet deklaratës së Ramës ku i sugjeronte Metës dekretimin e njëkohshëm si të lirimit si ushtarak edhe të dekretit si ministër. Sipas tij, dekreti i Lleshit nga Meta u bë në kushte in-extremis, ndërsa shton se ministri i ri i Brendshëm do qëndrojë në këtë detyrë në shkelje me Kushtetutën. 

Formalisht, pas plotësimit të kushteve kushtetuese, ai duhej dekretuar. Moralisht, ai ishte tërësisht letër e djegur. Sandër Lleshi, në thyerje të nenit 186 të Kushtetutës, ka marrë përsipër detyra të tjera, çka kushtetuta ia ndalon ushtarakut aktiv, jo në rezervë. Së dyti, Sandër Lleshi ka bërë hapin e dytë madhor në shkelje të kushtetutës, ka paditur presidentin e Republikës për dekretimin e tij, në një kohë kur kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendimet e të cilave janë normë kushtetuese për vendin, kanë vendosur në vitin 2002 se nuk mund të trajtohen në gjykatë, dekretet e presidentit. Mafiozët e kryeministrit, e kanë bindur gjeneralin që të paditë presidentin dhe të gjejë 2-3 gjyqtarë që t’i japin të drejta që nuk i takojnë. Ai dërgoi propozimin e Ramës për heqjen e spaletave, por faktikisht u emërua ministër në rrafshin moral si një kufomë e pakallur. Ky është vlerësimi im. Formalisht u respektua kushtetuta. Presidenti veproi në kushte in-extremis, por veproi në kushte kur e vendosën në kushte më in-extremis. I kërkuan të dekretojë një ministër në dhunim të Kushtetutës. Presidenti nuk mund të kthejë ministra, por është i obliguar të respektojë kushtetutën. U tregua luajal me germën e kushtetutës, e dekretoi, në rrafshin moral, ai s’meritonte të dekretohej. Ishte një delikuent në raport me kushtetutën, kishte mbajtur funksione të tjera, që neni 186 i Kushtetutës e pengonte. Paditi presidentin për interesa personale. 

Ish-kryeministri Sali Berisha

Sipas ish-shefit të qeverisë, opozita nuk priste që Edi Rama të tërhiqej nga propozimi, pasi siç shton Berisha, ministri i ri i Brendshëm identifikohet me maxhorancën. Sandër Lleshaj, theksoi Berisha, mban përgjegjësi për kanabizimin e vendit, pasi ka qenë për një kohë të gjatë këshilltar i Ramës.

"Jo, sepse për opozitën, si Sandër Lleshi, apo të gjithë, një çorbë janë. Ata nuk kanë ndryshim njëri nga tjetri. Janë narko-mazhorancë. Nuk di të ketë lidhje me kanabisin, por është këshilltari i autorit që e ktheu vendin në kanabistan. Ka për detyrë që çdo tre muaj të mbledhë të dhëna. E rikujtoj disa herë mbledhjen e Komitetit të Sigurisë, gjatë qeverisë së mëparshme. Ky ka rol të kërkesave tek kryeministri. Ka përgjegjësi", tha Berisha.

 

    No videos found.