Besimtarët kremtojnë Krishtlindjen, Imzot Frendo apel politikës: Jo dhunë, por dialog, uluni bashkë se po ikin të rinjtë

25 Dhjetor 2018, 00:57 | Përditesimi i fundit: 2018-12-25 00:57:22

Besimtarët e krishterë kremtojnë sonte Krishtlindjen. Kjo ditë simbolizon paqe e dashuri ndër besimtarët, ndërsa kulmon me meshën që po mbahet tani. Besimtarët po luten për paqe, mbarësi e dashuri. Kjo ditë kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, shkëmbimin e dhuratave, kartolinave dhe familjen e bashkuar. Por festa e Krishtlindjes festohet edhe nga jo të krishterët, pasi është një nga festat më të pëlqyera nga të gjithë. Në vigjilje të Krishtlindjes njerëzit përpiqen të jenë sa më afër njerëzve në nevojë, duke u bërë atyre dhurata dhe duke u ofruar dashuri.

Ora 00:40

Imzot Frendo mesazh politikës: Jo dhunë, por dialog, uluni bashkë se po ikin të rinjtë 

Imzot George Frendo gjatë fjalës së tij në meshën e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit referuar ngjarjeve të fundit politike ka bërë apel për dialog dhe jo dhunë. Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve, prandaj u bëri apel pozitës dhe opozitës që të ulen për të zgjidhur problemin e papunësisë. Frendo këshilloi të rinjtë që të kërkojnë më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, ndërsa shtoi se shqiptarët ka vuajtur shumë dhe tani meritojnë një jetë më të mirë.

Mesazhi i Imzot George Frendo për Krishtlindje
Sa shumë njerëz janë duke fjetur jashtë edhe në të ftohtë, ose ata që janë në detin Mesdhe në një gomone duke u larguar nga lufta dhe shpresojnë të gjejnë një vend që do i pranojë dhe ku të jetojnë me më shumë dinjitet. Krishtlindja ka një mesazh për të gjithë shoqërinë.

Jezusi u bë shembull i atij dialogu që duhet të ekzistojë edhe mes nesh, mes punëdhënësve dhe punëtorëve, duke respektuar dinjitetin, i dialogut mes qytetarëve dhe qeverisë Ne nuk mund të justifikojmë kurrë përdorimin e dhunës dhe vandalizimit. Të merremi më shumë me një dialog serioz. Sot shohim Jezusin si një foshnjë të brishtë. E di se shumë prej jush kanë vetëm një ëndërr, që të largohen nga Shqipëria, por kërkoni më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, vlerësoni më shumë gjërat e bukura nga vendi juaj, që tani është bërë edhe vendi im.

Para disa ditësh isha në një takim me disa studentë, u mërzita kur të gjithë shprehën dëshirën të emigrojnë. Po humbasim shumë persona, që numërohen ndër elementët më të çmuar, kjo është varfëria më e madhe për Shqipërinë. U lutem pozitës dhe opozitës të ulen së bashku në një tryezë dhe të diskutojnë këtë problem si mund të tërhiqen investitorë në këtë vend të bukur dhe të hapin vende pune. Me një vullnet të mirë mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, më të drejtë më të lumtur. Populli shqiptar ka vuajtur shumë. Ruaje o Zot Shqipërinë