TIRANË- Erion Veliaj u betua këtë pasdite për një mandat të dytë si kryetar i Bashkisë së Tiranës për të vijuar punën për transformimin e Tiranës në qytet modern europian dhe bashkëkohor, siç ai u shpreh.
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e kryebashkiakut Erion Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës për katër vitet e para. Në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Veliaj, Rama tha se krahasimi me si u gjet Bashkia e Tiranës dhe qyteti dhe si është sot, "është vrastar për ata që e lanë qytetin në derexhe për katër vite më parë".
“Bilanci i derikëtushëm i Bashkisë ëshë padiskutim pozitiv, por padiskutim nevojat janë shumë dhe pritshmëritë. Edhe pse koha ka shkuar, është e nevojshme të mos harrojmë se nga u nisëm katër vite më parë. Krahasimi me si e gjetëm dhe si e kemi Tiranën,është vrastar për ata që e lanë Tiranën në derexhe katër vite më parë. Arsyeja është duke bërë këtë krahasim ne vijimësisht marrim kreditet e nevojshme të besimit të njerëzve për të bërë shumë më shumë”, tha Rama
Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 30 qershor janë betuar sot duke konstituar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetar i tij u zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi.