Biberaj në Report TV: Partitë e reja nga deputetë që i shërbyen Ramës! Më vjen keq për Balliun

9 Tetor 2020, 20:43

Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD në një intervistë për Report Tv, teksa ka folur për procesin e votimeve të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme, të cilat i ka quajtur demokratike, ka folur edhe për të shkuarën, e të larguarit e partisë.

Lidhur me kreun e FRD-së Bamir Topi ai tha se ka qenë gabim fatal nga ana e tij, ftesa për të.

"S'jam pishman për asgjë që kam bërë në PD. S'pendohem për asgjë që kam bërë. Ka qenë gabim fatal ftesa për Topin, s'meritonte asgjë që ka marrë nga PD. E kam konsideruar gjithmonë pjesë të PD veten. Asnjëherë nuk kam bashkëpunuar dhe as nuk bashkëpunoj përveçse me PD", tha ai.

Kurse për të larguarit e tjerë të cilët kanë krijuar partitë e tyre, si Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi, tha se sipas tij kanë krijuar fraksione dhe se i kanë shërbyer kryeministrit Edi Rama për të votuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

"PD shkon si parti demokratike në zgjedhje. Ju përmendët ca minifraksione të PD s'janë as fraksione. Unë kam kërkuar që në PD të legalizohen fraksionet, por duhet të kishte njëfarë përqindje. Personat që ju përmendët mund të bëhen pjesë e koalicionit opozita. Këta që përmendët nuk janë të votuar, janë në pozicione tradicionalisht të djathta. Këta i shërbyen Ramës për të ndryshuar kushtetutën, një dëm që i kanë bërë Shqipërisë, ndërsa atje janë me logon e PD, Secili prej tyre mund të bëhet pjesë", shtoi ai.

Sa i përket skualifikimit nga lista për kandidatë për deputet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të Astrit Veliajt dhe Klevis Balliut, Biberaj tha se procesi ka qenë i drejtë. "Më vjen keq për kolegët por procesi ishte i drejtë", tha ai.