Bie akuza për trafik droge dhe grup kriminal, Gjykata dënon Tahirin vetëm për shpërdorim detyre: 3 vite shërbim prove !

19 Shtator 2019, 22:02 | Përditesimi i fundit: 2019-09-19 23:09:07

TIRANE - Prej orës 11:30 deri në 21:30 të darkës, përreth 10 orë në Dhomën e Këshillimit, treshja e gjyqtarëve që kanë në dorë çështjen Tahiri, kanë marrë vendimin për një nga gjyqet më të bujshme në historinë e politikë shqiptare. Pritjes së gjatë të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, i ka ardhur fundi. Rreth orës 21:30 të mbrëmjes ai është futur në sallën e gjyqit, në seancën ku treshja e gjyqtarëve Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka do të shpallin vendimin, nëse ai do të shpallet fajtor dhe do të dënohet, apo nëse do të ketë vendim pafajësie, siç Tahiri ka pretenduar nga momenti i parë kur është vënë në hetim nga prokuroria, nëntorin e 2017-ës.

Bashkë me të, vendimi pritet të jepet edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, të akuzuar për trafik droge në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal të drejtuar nga Mojsi Habilajt.

Më 10 shtator prokuroria dha pretencën ku kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3). Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

I pranishëm edhe sot në seancë, Saimir Tahiri doli i qeshur nga Gjykata, ndërsa deri në orarin kur Gjykata pritet të dalë me vendim, ai zgjodhi të konsumojë një kafe në një lokal pranë, nën shoqërinë e gazetarëve dhe avokatit të tij, Maks Haxhia. Nuk mungoi mbështetja nga simpatizantët e tij, të cilët i kërkuan të jetë krenar për çfarë ka bërë, duke shtuar se në Shqipëri "kush punon, dënohet"