Bie ligji/ Kuvendi u thotë ‘jo’ detektivëve privatë për zbulimin e tradhtive bashkëshortore, arsyeja

2 Shkurt 2021, 19:52

TIRANË- Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe Komisioni i Ligjeve kanë rrëzuar sot projektligjin për ngritjen dhe organizimin e shërbimit të detektivit privat në Shqipëri, një shërbim zbulues që po zhvillohet vitet e fundit. Nisma ligjore e propozuar nga deputeti Selami Jenisheri, parashikonte përfshirjen e profesionit të detektivit apo agjentit të fshehtë, si pjesë të ligjit të vitit 2014, për shërbimin privat të sigurisë fizike. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, duke argumentuar rrëzimin e projektligjit, u shpreh se profesioni i detektivit privat nuk ka asnjë lidhje me shërbimin privat të sigurisë fizike. Deputetja Felaj tha se çështje e spiunëve privatë mund të rregullohet me një ligj të veçantë.

“Qëndrimi nuk ka të bëjë me përmbajtjen se sa me konceptin në vetvete. Akti për shërbimin e detektivit privat nuk ka pikëprerje me shërbimin privat të sigurisë fizike. Aktualisht qenia detektiv privat konsiderohet profesion i lirë dhe një profesion që ushtrohet përmes licencimit, shprehur në një vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithmonë në publik ka qenë e hedhur ideja se duhet të ketë një ligj të veçantë për këtë profesion të lirë. Para disa vitesh ishte në fillimet e veta, por sot me sa duket është zgjeruar si profesion. Këtë njerëz kanë një shoqatë të detektivëve privatë si dhe kanë një shkollë për detektivët privatë”, tha Felaj.

Deputetja Elena Xhika tha se detyra e deputetit është për të bërë ligje sa më të mira dhe jo për të kënaqur kënaq dëshirat e grupeve të caktuara të interesit.

“Nuk shohim asnjë përputhje midis objektit që kërkon të rregullojë z. Jenisheri dhe shërbimit të privat të sigurisë fizike. Jam dakord që duhet të ketë një ligj për detektivët privatë, por ama duhet të jetë një ligj i mirëmenduar, ku duhet të punojë një grup i madh pune me ekspertë dhe grupe interesi, si dhe duhet të marrim modelet më të mira të BE. Nuk jemi në ato kushte që ta pranojmë këtë propozim”.

Ndërsa deputeti propozues Selami Jenisheri tha se ky profesion duhet rregulluar me ligj, pasi është evaziv dhe krijon mundësi për abuzime. Ai tha se deputetët nuk i ka penguar askush që të kishin propozuar një ligj të veçantë.