Bilanc i rëndë viktimash nga aksidentet, Ismaili: Sjellja e drejtuesve të mjeteve, arsyeja kryesore!

4 Shkurt 2021, 18:44 | Përditesimi i fundit: 2021-02-04 18:46:27

Shifra të frikshme të viktimave dhe personave të plagosur, janë raportuar për shkak të aksidenteve rrugore gjatë muajit janar të këtij viti.

Raportohet se kanë ndodhur 250 aksidente rrugore, të cilat kanë shkaktuar 21 viktima, 16 të plagosur rëndë si dhe 170 persona të plagosur lehtë.

Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili i ftuar për Report TV, theksoi se bazuar në analizimin e të dhënave, faktorët kryesor kanë qenë faktorët njerëzor, për shkak të moszbatimit të normave të sjelljes nga përdoruesit e rrugës.

Isamili tha se vetëm gjatë muajit janar janë ndëshkuar 4863 persona për tejkalim shpejtësie, ndërsa 3835 persona janë ndëshkuar për përdorimin e mjeteve të komunikimit.

‘Ngjarjet rrugore nuk duhet të ndodhin, por janë një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë. Është arritur në përfundimin se në bazë të dhënave, se faktorët që kanë ndikuar gjatë muajit janar në këto ngjarje të rënda kanë qenë faktorë njerëzor. Domethënë moszbatimi i normave të sjelljes nga përdoruesit e rrugës. Një përdorim i pijeve alkoolike mund të jetë edhe një aksident më shumë.

Nga shërbimi i policisë rrugore vetëm gjatë këtij muaji janë ndëshkuar 4863 drejtues mjetesh për parakalime të gabuar, që tregon për veprim të pëpërgjeshmërisë së drejtuesve të mjeteve.

Një shifër tjetër për ndëshkimin e qytetarëve është edhe përdorimi i mjeteve të komunikimit dhe me këtë shkelje janë ndëshkuar 3835 persona.’- tha Ismaili.