Po bëhet gjithnjë e më i rëndë bilanci i viktimave të epidemisë prej koronavirusit. 97 viktimat e regjistruara në 24 orët e fundit e kanë çuar numrin e vdekjeve në Kinë në 910, ndërsa rastet e të infektuarve kanë tejkaluar shifrën 40,000 (40.547).
Numri i përgjithshëm i atyre që mbahen nën vëzhgim që kanë paraqitur të paktën një simptomë të infeksionit ka shkuar në 188 000 kurse mbi 3000 konsiderohen të shëruar dhe kanë dalë nga spitalet.
jatë fundjavës, numri i viktimave kapërceu atë të epidemisë Sars në vitin 2003 i cili gjithashtu e pati pikënisjen në Kinë dhe vrau 774 njerëz në të gjithë botën.
Në tragetin ‘Diamond Princess’ 60 rastet e reja të identifikuara të infektuar me koronavirusin e ri e kanë çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 130. Gjithsesi ende nuk janë kryer analizat e shumë prej 3700 pasagjerëve në bord.
Sidoqoftë, epidemia vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Më shumë se 330 raste të infektimit janë konfirmuar në rreth tridhjetë vende dhe territore.
Pesë raste të reja janë identifikuar si të prekur nga virusi në Francë, duke e çuar në 11 numrin e të infektuarve. Dy shkolla u mbyllën në Savojën franceze, pas konfirmimit që një nxënës 9-vjeçar i shkollës rezultoi pozitiv për testin e koronavirusit.
Në Britani është konfirmuar rasti i katërt me koronavirus, 14 në Gjermani, 12 prej të cilëve në rajonin e Bavarisë kurse Spanja ka konfirmuar rastin e dytë, i pari në ishujt Kanarie dhe i dyti në Palma de Mallorca.
Në Hong Kong, qeveria ka vendosur mbylljen pothuajse totale me Kinën duke bërë të detyrueshme karantinimin 14 ditë për ata që hyjnë në ish koloninë britanike.