Bilanci/ 38 të vdekur nga aksidentet në dy muajt e parë të vitit, të plagosur rëndë 24 qytetarë

3 Mars 2021, 18:09

Një shtatë vjeçare u përplas nga një automjet teksa kalonte rrugën pranë Peshkëpisë në Vlorë. Si pasojë e plagëve të marra e mitura nuk mundi të mbijetonte. Në të njëjtën ditë në Tiranë u aksidentua një 60-vjeçare. Një kamion e përplasi të moshuarën në Astir dhe për pasojë humbi jetën.

Njëlloj si këto dy viktima të shkaktuara nga aksidentet rrugore, kanë humbur jetën edhe 36 persona të tjerë nga 1 janari i këtij viti, deri në datën 28 shkurt. Në total, në 59 ditët e para të vitit janë regjistruar 38 viktima në të gjithë vendin si pasojë e përplasjeve rrugore. Shifrat janë shqetësuese nëse krahasohen me dy muajt e parë të vitit 2020 kur kanë humbur jetën në rrugë në total 28 persona. Përgjatë kësaj periudhe të vitit 2021 janë regjistruar 10 vdekje me shumë, ndërsa si shkak kryesor vijon të mbetet shpejtësia tej normave të lejuara nga drejtuesit e mjeteve.