Bilanci/ Banesat e dëmtuara nga tërmeti, si paraqitet situata në Tiranë, Durrës e Thumanë

2 Dhjetor 2019, 15:47

Report Tv, ka siguruar të dhënat nga zyra Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësive natyrore për sa i përket dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë më 26 nëntor në bashkitë, Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë. Të dhënat u komunikuan nga zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila tha se shifrat mund të ndryshojnë pasi verifikimi në terren vijon.

Në terren vijon me intensitet puna për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura. Në Tiranë janë ngritur 27 grupe vlerësimi. Në Durrës, grupi i ekspertëve të vlerësimit të banesave përbëhet nga 70 ekspertë inxhinjerë, nga të cilët 50 të huaj.

Në Kamëz janë 4 grupe pune në terren, në zonën e Bathores dhe atë të Paskuqanit nga tre grupe pune secila. Në Rrogozhinë veprojnë 5 grupe verifikimi, ndërkohë që vazhdon inspektimi në terren edhe në të gjitha zonat e tjera të prekura, si Kruja, Laçi, Lezha, Shijaku apo Vora.