Një nga argumentet kryesore të Partisë Demokratike ndaj ligjit të ri special, i miratuar nga qeveria të premten e kaluar, për goditjen njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, është se paketa anti-KÇK dublon dhe asgjëson ligjin anti-mafia në fuqi. Po pse qeveria duhej të miratonte një masë të tillë emergjente njëvjeçare për goditjen e krimit, kur mund të zbatohej ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, i ndryshuar për herë të fundit në 2017? Përgjigja është se bilancet zyrtare tregojnë për një dështim të paimagjinueshëm të ligjit antimafia. Në raportin e fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, për rezultatet e zbatimit të ligjit antimafia për vitin 2018, thuhet se nga 774 raste të hetimit pasuror të trajtuara, janë pranuar nga gjykata vetëm 7 kërkesa për sekuestrim dhe 4 kërkesa për konfiskimin e pasurive të sekuestruara. Rastet e tjera ose kanë avulluar rrugës ose janë mbartur për vitin pasardhës.
