Vlorë- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbledhur ministrat në Radhimë të Vlorës për të bërë një rezyme të sezonit turistik 2018.
Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Rama është shprehur se ende ka shumë punë për tu bërë por sipas tij askush nuk e vë në dyshim se ka pasur një ndryshim si nata me ditën.
Patjetër që lajmet e mira nuk bëjnë lajm dhe lajmet e këqija marrin dhenë. Ne mund të themi që jemi në sezonin me të pastër dhe më të mirë. Deri në fund të vitit duam të shkojmë deri në gjashtë million turistë. Kur them sezoni më i pastër, nuk them se është më i pastri. Kemi qënë shumë pis dhe tani jemi pis. Kush thotë: Po po kjo? Po ajo?, i them se ne kemi katër vjet që punojmë për fushën sanitare të Vlorës. Së shpejti, do të fillojë puna për ndërtimin e fushës sanitare.
Në fund të ditës problem jemi ne. Ne patriotët që jemi gati t’i vëmë flakën një flamuri të huaj, ne i hedhim mbeturinat ku të na vijë radha. Është pabesia më e madhe që i bëjmë atdheut tonë.
Të gjithë e dinë që nuk ka të krahasuar me sezonët e mëparshëm. Policia nga ana e saj ka pasur një fuqi më të madhe për të parandaluar krimin.
Do të fillojmë investimet për t’i dhënë fund dramës dhjetra vjeçare për ujrat e zeza. Ndërkohë që askush nuk flet më për problemin e energjisë elektrike. Ne ishim në Lezhë dhe energjia ka ikur një herë për vetëm 20 minuta në një moment furtune.
Edi Rama, kryeministër
Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm, bëri bilancin sa i përket Policisë së Shtetit, duke evidentuar se si pasojë e punës së tyre këtë sezon turistik ka pasur më pak vepra kriminiale. Xhafaj ka veçuar bilancin zero të incidenteve të shkaktuara nga mjetet e ujit.