'Bild' publikon edhe 10 përgjime të reja nga dosja e Dibrës '184'

20 Qershor 2019, 08:46 | Përditesimi i fundit: 2019-06-20 10:04:26

Tabloidi gjerman "Bild" sot ka publikuar 10 audio-përgjime të reja nga dosja "184", të cilat i ka marrë nga prokuroria ose nga Partia Demokratike në Shqipëri. Ndonëse ishte paralajmëruar publikimi për të enjten mesa duket për të sfumuar edhe lajmin e dhunimit KZAZ-ve nga militantët e opozitës "Bild" vendosi t'i publikojë pasditen e kësaj të mërkurë.

Personazhet kryesore të audio-përgjimeve janë Imer Lala, një personazh jo pak i njohur për Policinë e Dibrës, dikur i njohur si mbështetës i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Një personazh gjithashtu i akuzuar nga PD si kriminel, teksa vetë Bild e përshkruan si bosë të mafies. Imer Lala gjithashtu është babai i deputetes Reme Lala, nga PDIU por që me tej me marrjen e mandatit kaloi me Partinë Socialiste. Në audio-përgjime ai flet me ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, me anëtarin e Komisionit Sigurisë Xhemal Qefalia, dhe deputetin Ulsi Manja. Drejtori i Policisë i përmendur nga opozita si militant i PD-së, në audio-përgjime pranon që është mbështetës socialistë.

Ndërkohë personazhi tjetër në këtë seri të radhës të përgjimeve është Robert Ago ish drejtues i Policisë Dibrës në 2016, kur në këtë rreth zhvilloheshin zgjedhjet lokale të pjesshme, ku garonin Sherefedin Shehu dhe Muharrem Rama i PS, që fitoi me një diferencë prej 4 mijë votash.

Në audio përgjime del edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që lidhet me Robert Ago nga telefoni i Xhemal Qefalisë, ku kërkon mbështetje për ta transferuar në Bulqizë.