Bindja Demokratike kërkesë në Gjykatën Kushtetuese: Të rrëzohet neni i Kodit për ndarjen e mandateve

29 Dhjetor 2020, 14:04 | Përditesimi i fundit: 2020-12-29 15:13:06

Partia Bindja Demokratike, me koordinator Astrit Patozin, është e para që shfrytëzon Gjykatën Kushtetuese menjëherë pas bërjes së saj funksionale. Paraditen e sotme Bindja Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për rrëzimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton shpërndarjen e mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e konsideruar atë në kundërshtim flagrant me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut.

Përmes një njoftimi Bindja Demokratike bën me dije se në dokumentin e dorëzuar prej anëtarit të bordit të Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj, argumentohet antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve, si një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.

Tani mbetet në dorë në Gjykatës Kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë kërkesë, në mënyrë që t’i paraprihet aplikimit të Kodit Elektoral, përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Me dorëzim e kësaj kërkese Bindja Demokratike përmbush një detyrim përpara vendit dhe qytetarëve shqiptarë, në funksion të objektivit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, i cili cenohet rëndë nga neni 163 i Kodit Zgjedhor, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca e Edi Ramës", thuhet në njoftim.