TIRANE - Bindja Demokratike ishte e vetmja forcë opozitare që pati disa kandidatë përballë kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, edhe pse nuk mundi të fitojë asnjë bashki. BIndja Demokratike e Astrit Patozit, nuk pati asnjë komisioner apo numërues në këto zgjedhje, edhe pse sië përfaqësuesi i kësaj force politike, Fabian Topollaj tha, ata kanë kërkuar komisionerë, por KQZ nuk i ka miratuar.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bindja Demokratike kërkoi të hapen kutitë në disa bashki që ata kanë dyshime se kanë votuar më shumë shqiptarë seç kanë qenë të pranishëm në vend. Sipas Topollajt, duhen bërë verifikime në sistemin TIMS, pasi siç ai akuzoi, ka shqiptarë që nuk kanë qenë fare në atdhe, dhe ndërkohë rezultojnë sipas tij, të jenë votues më 30 qershor. Ai tha se në gjithë qendrat e votimit në Bashkinë e Sarandës ka parregullsi, dhe duhen hapur të gjithë kutitë për të bërë verifikimet.
Fabian Topollaj: Të hapën të gjitha materialet zgjedhore në kuti, mes votave dhe atyre qytetarëve që rezultojnë në lista që kanë votuar. Kjo bëhet krejt lehtësisht që ky proces mund të ndihmojë sistemi TIMS, për të bërë një ballafaqim mes atyre që rezultojnë të kenë votuar më 30 qershor me sistemin TIMS, dhe do kuptoni që shumë shqiptarë që nuk kanë qenë në Shqipëri, rezultojnë votues në Sarandë. Të drejtën tonë për të hapur kutitë, ne na e jpe neni 136 /c, që përcakton se mund të kërkojmë marrjen e provave për të vërtetuar faktet nëse nuk ka qenë e mundur që këto prova të sigurohen paraprakisht. Pra kërkojmë të hapen kutitë për zonën e Sarandës. Kodi Zgjedhor e thotë që është i detyruar KQZ të japë gjithë provat që subjekti zgjedhor nuk ka pasur mundësi t'i disponojë më parë. Ne nuk kemi pasur mundësi të jemi në qendrat e votimit dhe të numërimit, pavarësisht se kemi kërkuar komisionerë. Nëse pretendimet tona vërtetohen të faktuara kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë këtë zonë.