Bizneset s’kanë likuiditet, po ulin pagat e punonjësve, Shkodra: Duhet program afatgjatë për të nxitur punësimin

3 Shtator 2020, 14:50

Kriza ekonomike dhe mungesa e likuiditetit po i shtyn bizneset kryesisht ato të vogla, që të ulin pagat e punonjësve. Arben Shkodra sekretari i bashkimit të prodhuesve thotë se faza e rikthimit në punë pas pushimeve do të jetë faza më problematike pasi likuiditeti i biznesit është në rënie.

“Nuk është rikthim i vrullshëm, është rikthim për inertsi duhet vetëm të shohim sondazhet e bëra nga ne dhe të huajt që paraqesin një tablo gri, sepse ne e dimë shumë mirë që shumica e kompanive për të ruajtur vendet e punës kanë ulur pagat. Nuk i kanë ulur se duan të japin më pak por kanë probleme me likuiditetin. Në këtë fazë të rikthimit të dytë pas pushimeve do të jetë faza më problematike dhe kritike do të kemi padyshim edhe falimente apo pezullim të aktiviteteve sepse kanë qëndruar deri më tani por nuk kanë parë asnjë ndihmë nga shteti”, shprehet Shkodra.