Biznesi fason letër kryeministrit: Pagesë papunësie edhe për ata që nuk përfitojnë

16 Prill 2020, 15:59

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve kërkon nga qeveria që edhe të papunët e biznesit fason që nuk përfitojnë tani nga paketa e ndihmës duhet të marrin pagën e papunësisë. Po ashtu ata nga paketa e dytë vlerësojnë si pozitive, kredinë pa interes dhe shtyrjen e parapagesave të tatimit mbi fitimin. Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania” i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit Arben Ahmetaj dhe ministrit të Sipërmarrjes Eduard Shalsi me të cilën ka mirëpritur pjesërisht paketën e dytë financiare të prezantuar nga qeveria.Sipas biznesit fason kredia prej 150 milionë dollarësh, për të cilën biznesi nuk paguan interesa, si dhe shtyrja e kësteve te parapagimit te tatim fitimit deri më 31.12.2020, janë elementë pozitivë, ndërkohë që kanë kritika për ndihmën prej 40 mijë lekësh. Sipas tyre në këtë ndihmë nuk përfshihen personat që nuk punojnë, por nuk janë hequr nga listat si rezultat i thirrjes se qeverisë për të mos i hequr. Po kështu, nuk përfshihen ata punonjës që do të hiqen nga listat pas datës 10.04.2020 për arsye të mungesës së punës. Propozimi i “Proeksport Albania” është që këto dy kategori punonjësish të mbetur pa punë në biznesin fason të mbështeten me pagesën e papunësisë me një procedurë të shpejtë dhe te thjeshtuar.