Blegtoria në Zadrimë të Lezhës në krizë, fermeri: Mbyllja e restoranteve ka ulur kërkesën

16 Prill 2020, 17:35 | Përditesimi i fundit: 2020-04-16 17:37:46

Që prej vënies në zbatim të masave shtrënguese të qeverisë për mbrojtjen nga koronavirusi i ri, sigurimi i tregut për shpendët është kthyer në një mision të vështire për Nard Kolecin nga fshati Fishtë i Lezhës. Fermeri 37-vjeçar aktualisht ka në mbarështim 4 mijë shpendë të llojeve të ndryshme, 200 prej të cilave janë bërë gati për treg prej kohësh. Por mbyllja e restoranteve ka ulur ndjeshëm kërkesën për këtë produkt, duke e vënë në vështirësi fermerin, i cili thotë se kjo situatë e gjeti të papërgatitur.

"Këtu kam rreth 200 kokë që janë për konsum si dhe 2000 e ca krerë rosa e 2000 kerë zogj. Ne në këtë kohë prisim të kishim shumë treg por kështu u këputëm në vend. Mua më shkon rreth 70 mijë lek kosto në ditë me ushqim për shpendët. Sot isha për furnizime,  kishin rritur dhe çmimet", tha Nard Koleci.