Anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i cili sipas organeve të Vetingut, nuk e justifikon pasurinë, rezulton një kursimtar i madh. Shqiptarja.com publikon pasurinë e plotë të deklaruar nga gjyqtari nga viti 2003 deri në vitin 2017. Tom Ndreca, i njohur si gjyqtari që i dha Lulzim Bashës fitoren në tavolinë për Bashkinë e Tiranës dhe për gjykimin e dosjes së 21 Janarit, ka blerë katër shtëpi me kursimet nga paga. Banesat i deklaron në harkun kohor nga viti 2003 deri në vitin 2010.
Në deklaratën fillestare të vitit 2003, Tom Ndreca deklaron se është pronar me 50 % në dy parlamente, secili 2+1. Në vitin 2009, Ndreca deklaron një apartament në Golem, me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 31 mijë euro. Si burim, gjyqtari deklaron kursimet nga pagat. Një viti më vonë, në vitin 2010, Ndreca deklaron një apartament me sipërfaqe 100 m2, me vlerë 6 000 000 lekë.
Apartamentin e ka shlyer deri në vitin 2015. Po gjatë këtyre viteve, Ndreca deklaron kursime vjetore nga pagat që variojnë deri në 17 milionë lekë të vjetra. Ndërkaq, të ardhurat e anëtarit të Gjykatës së Lartë përbëhen nga paga e tij, paga e bashkëshortes, e cila ka dalë në pension në vitin 2017 si dhe pagat e dy djemve, të cilët punojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
