Blic në Durrës/ Në hetim 2 farmaciste, shisnin dezinfektantë pa kupon tatimor me çmime abuzive

15 Mars 2020, 09:00

DURRËS - Medikamenti është koduar një operacion policor në Durrës në disa farmaci të qytetit, për të parandaluar tregtimin e medikamenteve me çmime abuzive dhe duke fshehur të ardhurat, një shembull i keq që mund t ëndiqet duke shfrytëzuar situatën e vështirë me COVID-19 në Shqipëri.

Policia e Durrësit njofton se janë vënë në hetim në gjendje të lirë 2 pronare të farmacive, për veprën penale "Fshehja e të ardhurave”; S. L., 32 vjeçe, banuese në Durrës dhe E. D., 40 vjeçe, banuese në Shijak, Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezifektantësh për duart (xhela antibakterial) pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen Nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.

"Kontrollet e befasishme do vijojnë në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe përfitimit nga situata e krijuar duke abuzuar me çmimet jo vetëm të medikamenteve, por të çdo produkti për konsum nga qytetarët", njofton policia.