'Blic' në veri të Kosovës/ 4 efektivë të plagosur, 30 të arrestuar! Vuçiç: Ushtria të jetë në gatishmëri

28 Maj 2019, 15:51

Blindohet veriu i Kosovës! Forca të shumta policore kanë pëfunduar aksionin për arrestimin e personave që dyshohet se merren me kontrabandë në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës. Siç shkruajnë mediet kosovare, policia ka pasur edhe rezistencë të armatosur në veri, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 efektivë. Aktualisht në pranga kanë rënë 30 persona, mes tyre edhe 10 policë.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në një deklaratë për mediat, është shprehur se "vetëm po zbatohet ligji". E ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka bërë thirrje ushtrisë që të jenë në gatishmëri.