Blic tek agro-ushqimori në Kashar, 4 administratorë të shumicës abuzim me çmimet e fatura (i denoncuan tregtarët e pakicës)

17 Mars 2020, 15:23

TIRANË - Kushdo që abuzon me çmimet në këto ditë të vështira që Shqipëria po kalon nga situata e COVID-19, do t'i bllokohet aktiviteti dhe do të vihet në hetim. Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe policia kanë bërë kontrolle të befasishme në terren, ku në Tiranë janë vënë në hetim 4 administratorë të pikave të shumicës në tregun  agro-ushqimor në Kashar, Tiranë, nëpërmjet përpilimit të faturave fiktive. Personat në hetim janë: K. Y., 43 vjeçe, M. S., 26 vjeç, I. B., 32 vjeç dhe A. XH., 44 vjeç, të cilët dyshohen se kanë përpiluar fatura tatimore me shitje fiktive të çmimit të produkteve që i tregtojnë pikave të pakicës, duke abuzuar dhe përfituar me çmimet e tyre, si dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre tregtar, duke mos e pasqyruar me dokumentacionin përkatës.