Bllokimi në aeroport dhe furça e tualetit si mikrofon për futbollistin, Turqia ‘tërbohet’ ndaj Islandës

10 Qershor 2019, 13:00

Kombëtarja e Turqisë është hasur me një trajtim të papërshtatshëm që prej momentit kur ka mbërritur të dielën pasditë në tokën islandeze, për ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit.

Fillimisht ekipi kombëtar turk ka mbetur i bllokuar për tre orë në aerportin e Islandës, me pretekstin se po kryhen kontrrolle të detajuara të bagazheve dhe pasaportave të futbollistëve dhe stafit. Një incident që ka irrituar futbollistët turq, me Emren dhe Burak Yilmaz të cilët u shprehën:

“Kjo është paturpësi. Tre orë kemi qëndruar aty. Të gjitha çantat i hapën dhe disa herë i kontrolluan. Fluturimi zgjati 6,5 orë dhe tani 3 orë po presim,”- tha Jilmaz.

“Nuk dua të flas asgjë, le të japin shpjegime. Është për të ardhur keq, që kur mbërritëm po bëjnë kontrolle të panevojshme,”- deklaroi veterani Emre.

Gjithsesi incidentet nuk janë ndalur këtu. Teksa emre fliste për mediat aty është afruar edhe një tifoz, i cili u hoq si të ishte gazetar dhe në vend të mikrofonit i drejtoi Emresë një furçë tualeti.

Policia ndërhyri më pas, por gjithsesi pa shmangur dot ngjarjen, për të cilën reagoi menjëherë kryediplomati turk, Mevlut Çavusoglu, që e cilësoi si të papranueshme sjelljen e islandezëve.

“Kjo nuk është në përputhje me normat diplomatike dhe ne do të ndërmarrim masat tona, askush të mos dyshojë në këtë,”-deklaroi ai.

Për të gjithë ngjarjet e ndodhura raportohet se Turqia i ka dorëzuar notë diplomatike Islandës.