Bllokohen 4 kontenierë me 110 kg kokainë në Portin e Durrësit

27 Shtator 2019, 11:20 | Përditesimi i fundit: 2019-09-27 11:31:58

TIRANË- Katër kontenierë me banane të nisur nga Ekuadori me destinacion final Shqipërinë, u bllokuan në portin e Durrësit, pas sinjaleve nga autoritetet greke se brenda në kontenierë, në dyshemenë e tyre mund të kishte kokainë. Autoritetet e shtetit fqinj dhe DEA amerikane, i dërguan informacionet policisë shqiptare, duke i kërkuar të verifikojnë kontenierët me banane. Ndalesa tranzit e 4 kontenierëve të nisur nga Ekuadori për Shqipëri, ishte Pireu, por autoritetet greke nuk bënë kontroll të kontenierëve. Sinjali ju dha policisë shqiptare për të ndërhyrë në Portin e Durrësit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë u bë kontrolli i kontenierëve në Portin  e Durrësit, ku u faktuan dyshimet e autoriteteve greke. Në dyshemetë e katër kontenierëve kishte kokainë. Policia shqiptare sekuestroi në cilësinë e provës materiale 110 kilogramë kokainë.Por për të rënë në gjurmët e trafikantëve, policia zëvendësoi kokainën me orizë në të cilën vendosën GPS për të qenë në ndjekje të lokacionit të personave që mund të merrnin lëndën narkotike, pa e ditur që ajo ishte zëvendësuar me oriz. Ky kurth i policisë u ndoq për të mos humbur gjurmët e trafikantëve.

Por askush nuk u paraqit në Durrës për të marrë kontenierët që qëndruan për mëse 1 javë në port, kjo nisur edhe nga fakti që historia u bë mediatike, edhe nga shtypi grek, dhe më tej në Shqipëri. Të vetmit të arrestuar janë dy punonjës të Portit të Durrësit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, ndërsa 4 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, njëri prej të cilëve me inicialet G.M. Duke përdorur bexhin si punonjës të portit, ata janë afruar pranë kontenierëve çka solli dhe arrestimin e tyre. Sot Gjykata i la ata në masë arresti me burg. Ende nuk dihet roli i tyre në këtë rrjet të trafikut të drogës, nëse ata kishin shkuar për të tërhequr mallin, apo nëse ata ishin dërguar nga persona të tretë. Nuk dihet ende se cila është kompania që kishte porositur bananet në Shqipëri. Detajet pritet të dalin në një konferencë për mediat të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për Krime të Rënda në 11:30.