Bllokohen në Gjipe, policia shpëton dy turistët gjermanë, i nxjerr me litarë

17 Korrik 2019, 13:00

HIMARE - Tre turistë gjermanë janë shpëtuar nga policia pasi kishin mbetur të bllokuar në kanionet e Gjirit të Gjipesë.

Dy vajza dhe një burrë me origjinë gjermane, po eksploronin Gjipenë, por gjatë natës kanë humbur rrugën duke kërkuar ndihmën e policisë.

Gjiri i Gjipesë është një terren i vështirë për tu eksploruar dhe tërheq më së shumti turistët e huaj, që për ta vizituar nuk zgjedhin rrugën nga deti me mjete motorike, por preferojnë ta përshkojnë në këmbë përmes rrugës malore.

Pas marrjes së informacionit, policia ka nisur aksionin për shpëtimin e tyre që ka zgjatur rreth dy orë.

Aksioni ka qenë i vështirë për shkak të terrenit, ndërkohë që nga sa raportohet nga policia, ndërhyrja është bërë duke i nxjerrë me litar.