Bllokohen punimet në aeroportin e Kukësit, banorët: S'kemi marrë lekët për tokën e zënë

9 Shtator 2019, 16:50

Disa familje të fshatit Shtiqën të Kukësit kanë bllokuar mëngjesin e të hënës  punimet që po bëhen për ndërtimin e aeroportit të Kukësit, pasi kërkojnë shpronësimin e tokave që preken. Banorët pretendojnë se kanë certifikata pronësie dhe për këtë arsye kërkojnë dëmshpërblimin që u takon.

"Për shpronësimet  që nuk na janë bërë dhe që na njihen nga shteti. Kemi të gjitha dokumentacionet. Kemi që në vitin 2005 që jemi pronar të ligjshëm të aeroportit të Kukësit dhe nuk është marrë asnjë masë për shpronësimet. Është thjeshtë neglizhencë.  Ne kërkojmë një zgjidhje shumë normale jo me konflikte pasi nuk jemi të konflikteve. Ne jemi gëzuar që u bë një investim në qarkun e Kukësit" Iliaz Basha pronar toke.

Ndërsa një tjetër, Ajet Basha po pronar toke theksoi se "Kemi bllokuar punimet pasi nuk jemi shpronësuar për tokat që kemi në aeroportin e Kukësit. Tokë të cilën ne e disponojmë me dokumente ligjore me vendim të regjistrimit të tokave të vitit 2004 dhe  vendim gjykate sipas të gjitha kritereve. Që nga 2004 deri më sot ne nuk jemi shpronësuar'.

Punimet në aeroportin e Kukësit kanë nisur prillin e këtij viti dhe pritet që të finalizohen brenda dy vitesh. Projekti parashikon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë aeroportin e Kukësit një aeroport të standardeve europiane, pjesë e të cilit do të jetë zgjerimi i pistës në krahun verior me rreth 500 metra.​